Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për supersfidën ndaj Serbisë më 11 tetor në Leskovac, një ndeshje që mund të vendosë fatin e kuqezinjve në garën për Kupën e Botës 2026.
Në prag të kësaj përballjeje delikate, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, foli për Top Channel, duke ndarë emocionet dhe pritshmëritë për një takim që ngjall interes maksimal. “Çdo ndeshje e Kombëtares ka emocion, por kur luan për objektiva të mëdha, gjithçka bëhet më e fortë. Fitorja ndaj Serbisë do të na afronte ndjeshëm me play off-in,” u shpreh Duka.
Lidhur me të ardhmen e trajnerit Silvinjo, kreu i FSHF-së e bëri të qartë se dueli në Leskovac nuk do të jetë vendimtar: “Nuk kemi vendosur fatin e askujt për një ndeshje. Nëse kualifikohemi, nuk ka arsye për ndryshime. Nëse jo, normalisht do të diskutojmë.

Sa i përket pritshmërive për rezultat, Duka theksoi se Shqipëria do të futet në fushë për tri pikët, ndonëse edhe barazimi do ta mbante ekipin në garë. “Ndeshja është e hapur, kemi kualitet dhe frymë grupi më të mirë se Serbia,” deklaroi ai.
Pavarësisht vështirësive të transfertës dhe tensionit që e shoqëron, besimi në kampin kuqezi është i lartë. Kombëtarja kërkon një rezultat pozitiv që do ta mbante ëndrrën e Botërorit gjallë – dhe këtë herë, asgjë më pak se një fitore do ta kënaqte tifozin shqiptar.



